Ta ndryshojmë botën apo ta ndryshojmë vetveten

Blog Single

Përpjekja për ndryshimin e mentalitetit të dyfishohet

Kultura shqiptare na ka mësuar të besojmë se njeriu nuk ndryshon, ndërsa përvoja njerëzore, në të kundërt dëshmon se njeriu jo vetëm që ndryshon, por e ka për natyrë ndryshimin. Ndryshim i mentalitetit do të thotë ndryshim i sjelljes shoqërore. Mjafton të kemi veshë që dëgjojnë mirë e zemër guximtare dhe të shohim situatën ҫfarë kemi tani, për të bërë apel dhe thirrje për ndryshim. Është një pyetje që ka nevojë për një analizë të hollë, a ndryshon njeriu? Kultura shqiptare na ka mësuar të besojmë se njeriu nuk ndryshon, se “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, e të tjera fjalë shqiptare. Përvoja njerëzore, në të kundërt, qysh nga mendimtarët e lashtësisë madje, dëshmon se njeriu jo vetëm që ndryshon, por e ka për natyrë ndryshimin.Kjo do të thotë se mohimi i shqiptarit në këtë pikë, shpirti i mos-ndryshimit, nuk është normal, nuk është natyror, pavarësisht nga folklori i kombit. Me kalimin e kohës ai është i detyruar ti përshtatet rrethanave të reja. Njeriu, pra, është i prirur të ndryshojë.

Intelektuali që nuk e humbë shpresën e ndryshimit mbetet intelektual, domethënë kur e ndan veten nga të shumtët, përndryshe ai bëhet popull. Intelektualët më cilësorë kanë qenë dhe janë ata që nuk adhurohen nga pushtetet, gjithashtu ata nuk adhurohen as nga populli , kjo shtresë e intelektualëve janë ata që na ndihmojnë të ndryshojmë. Atëherë kur ai ka frikë, kur ka turp, kur rrebelohet, kur s’ka dritë, kur bëhet rob i pushtetit të shprehive, ai kurrë nuk do të ndryshojë. Pra, njeriu nuk ndryshon vetëm atëherë kur ai nuk ka vullnet apo nuk do të ndryshojë, Në këtë pikëpamje është vështirë të ndryshojë njeriu, prandaj edhe ndryshimet në shoqërinë tonë janë shumë të ngadalta. Në mentalitet përveç ndryshimeve të ngadalta kolektive, ekzistojnë edhe ndryshimet individuale, si pasojë e ndërgjegjësimit grupor dhe politikave sociale, edhe këto ndryshime janë të ngadalta, me dallime në rrethana të ndryshme për secilin rast. Kjo nuk ka të bëjë me shoqërinë, por ajo ka të bëjë me shumë me eksperienca e ngjarje të ndryshme personale.

Ndryshimet në mentalitetin e njerëzve lexohen sidomos në statistikat vjetore të vendeve të qytetëruara, duke bërë sondazhe për një temë të caktuar në një pjesë të shoqërisë dhe duke bërë krahasimin se si njerëzit tani e shohin atë temë, dhe se si e shihnin të njëjtën temë a fenomen dhjetë vjet më parë. Statistikat qeveritare japin detaje me numra e me përqindje, ku shquhen qartë ndryshimet në botëkuptimin e njeriut, njerëzit bëhen më njerëz. Për këtë arsye, rezultatet e studimit, sadoqë vlejnë drejtpërdrejt vetëm për shpiegimin e problemeve psikologjiko-morale të individëve të veçantë, tërthorazi, mund të përdoren për të hedhur dritë mbi vështirsitë që hasin shoqëritë e pazhvilluara demokratike në rrugëtimin e tyre drejt demokracisë liberale funksionale. Që të funksionojë demokracia liberale, shumica dërrmuese e zyrtarëve publikë duhet të jenë të ndershëm. Për shembull, me një gjuhë më të thjeshtë, mund të themi se një zyrtar që e ka ndershmërinë në gjak do të bëjë atë që është e drejtë të bëjë, pavarësisht se kolegu i tij i pandershëm mund ta shtrembërojë të drejtën. Përpjekjet për ndryshime institucionale dhe mentalitare duhet të dyfishohen. Pse? Për faktin e thjeshtë se këtyre ndryshimeve u bie edhe barra e rëndë e balancimit të negativitetit që, mund të jetë i skalitur ndër shekuj në kodin gjenetik të shumë shqiptarëve. Si parakushte për ndryshim, këtu, kemi dy fjalë kyçe, pendim dhe gatishmëri, Dikush pendohet për të kaluarën, dëshiron patjetër që të mos përsëritet i njëjti problem dhe ai kërkon patjetër ndryshimin duke menduar ndryshe dhe duke vepruar ndryshe. Ata që nuk janë të lumtur me të tashmen edhe ata e mbajnë zemrën hapur për gjëra të reja, për ndryshime. Ky është ndryshimi i vërtetë i njeriut. Personi është ai që orienton drejtimin e vet me mendimet e tij ditore. Sugjerimet në shoqërinë tonë po luajnë rol vendimtar në ndryshimin e ngadalta të mentalitetit.

Nuk ka rëndësi se kush është personi në fjalë, nëse është nga “ familje e mirë”, nëse është “i ndershëm”, “i besës”, “patriot”, “burrë shqiptar”, e të tjera, ato në të vërtet janë dokrra. Për më keq, nuk ka aspak rëndësi nga i rrjedh fisi, çfarë biografie ka, sa mëkate ka bërë ai dje, sa kanë bërë familjarët apo farefisi i tij, sa para kishte dje, sa para ka tani, me kë ka bërë miqësi, si e ka fytyrën, e të tjera shpikje shqiptare. Sepse ka shembuj të shumtë në botë, që e vërtetojnë të kundërtën, me atë të logjikës shqiptare. Ndryshim i mentalitetit do të thotë ndryshim i sjelljes shoqërore. Një pjesë e madhe e shoqërisë sonë duke filluar nga intelektualët,e gjerë të populli, profilin personal e ndërtojnë në bazë të sugjerimeve të personave të dashur apo idhujve të tyre. Kjo formë e ndërtimit të profilit është tejet e dëmshme për shoqërinë tonë.

Bie fjala pushtetarët e sotëm sugjerojnë fjali dhe gjëra që atyre do tu ndihmojnë të mbesin ose të vijnë në pushtet për momentin ata aspak nuk janë të interesuar të bëhen ndryshime të shpejta. Sugjerimet e intelektualëve të pasluftës, jo vetëm që janë të dëmshme për ndryshim mentaliteti, por ato pengojnë komplet zhvillimin e një shoqërie. Fatkeqësisht edhe profesorët e mësuesit po luajnë rol negativ në ketë drejtim, diku me vetëdije e diku tjetër pa vetëdije, duke sugjeruar me mendime të vjetra që nuk i përkasin civilizimit. Prandaj kemi ndryshime tepër të ngadalta që nuk ndihmojnë zhvillimin e shoqërisë. Personat e gatshëm për ndryshim nuk ndihen mirë me të tashmen. Atyre nuk ju bëhet nami se “ç’do të thotë bota”. Ata e kapërcejnë drojën dhe ngriten mbi vetveten e mbi bashkëkohësit. Në fakt, thirrja e ndryshimit vjen për të gjithë njerëzit, edhe pse ndryshe për secilin. Mjafton të kemi veshë që dëgjojnë mirë e zemër guximtare dhe të shohim situatën ҫfarë kemi tani, për të bërë apel dhe thirrje për ndryshim.

Share:

Librat: