Serbin ta ndalojmë secili në shtëpinë e vet!

Blog Single

Ekonomia është ajo që dirigjon shtetin, janë absurde që 12 vite radhazi të njëjtat arsyetime. Është ora pesë para dymbëdhjetëve që projekti Kosovë të quhet i suksesshëm, punësimi sjellë mirëqenien e popullit.

Nuk do të ketë investime e as zhvillim ekonomik, pasi që lirisht mund të konstatohet se në Kosovë është planifikuar varfëria dhe mjerimi. Në vendin tonë është krijuar një sistem i tillë i cili po e pengon ndërtimin e mirëfilltë kapitalist, në mënyrë që Kosova të mbetët edhe për shumë vite koloni ekonomike serbe. Në emër të tregtisë së lirë dhe partneritetit ndërkombëtar, elita politike kosovare pozitë, një pjesë e opozitës dhe grupe tjera të interesit në bashkëpunim me njerëz të qeverisë së Serbisë po e mbushin tregun kosovar me prodhime të shumta serbe. Nga fondet e Bashkimit Europian të para anëtarësimit që merr Serbia dhe nga fondet shtetërore që posedon, ajo po i subvencionon mbi 50 % të gjitha prodhimet që janë paraparë për tregun kosovarë. Deri vonë këto prodhime janë futur në treg edhe pa doganim, kur dihet se buxheti shtetëror i Kosovës ka funksionuar ekskluzivisht vetëm nga një doganë. Futja e produkteve serbe të subvencionuara nga Serbia në tregun tonë, vetëm sa po e stimulon dhe po e lejon një revolucion të paparë në ekonominë in-formale. Fatkeqësisht ketë menaxhim që kemi tani po e mbron politika kosovare dhe ajo botërore, qeveria duhet të marrë kritikat më të ashpra për gjendjen ekonomike që kemi. Shtrohet pyetja: Politika fiskale nga kush konstruktohet në Kosovë? Kush i menaxhon doganat? Përgjegjësja nuk mund të jetë Fondi Monetar Ndërkombëtarë, por përgjegjësia i takon qeverisë.

Nëse ka tendenca nga Bashkësia Ndërkombëtare për mbajtjen sa më gjatë të kësaj situate që kemi në mënyrë që për shkak të situatës ekonomike të nënshtrohemi politikisht më kollaj, janë të zgjedhurit e popullit që kanë për obligim moral dhe njerëzorë mbrojtjen e interesave të qytetarëve të vet. Qeveria është zgjedhur të mbrojë këto interesa, ajo duhet t’i kuptojë qartë dhe të luftojë shumë për mirëqenien e qytetarëve të vet. Kush e planifikoi që Kosova të jetë vendi më i varfër në botë? Pse nuk po na lejojnë të Bashkësisë Ndërkombëtare të gabojmë në interes të popullit? Prapë, për të gjitha këto dhe këtë gjendje që kemi, barra i bie qeverisë dhe njerëzve përgjegjës që kemi. Nëse është planifikuar nga jashtë diçka e tillë, atëherë qeveria duhet të luftojë me të gjitha mjetet demokratike për të arritur mirëqenien e popullit të vet, kurse realiteti thotë se ata po ndihmojnë më shumë varfërinë dhe mjerimin. Tregtarët që po importojnë bërllokun apo prodhimet e Serbisë, janë krijuesit e situatës kolonizatore të Kosovës, ata mund të quhen edhe mafioz ekonomik, por një duhet ta kemi të qartë, ata rrënjët i kanë në mafinë politike kosovare. Mafia ekonomike mbijeton vetëm në bashkëpunim me mafien politike, që i bie se tregtarët janë vegël e përfitimeve të pista të qeverisë në njërën anë dhe në anën tjetër po i bëjnë një shërbim të fortë Serbisë për ta kolonizuar dhe gjunjëzuar Kosovën ekonomikisht.

Është shqetësuese fakti se ekonomia dhe menaxhimi momental janë duke punuar më shumë në drejtim të shkatërrimit të shtetit, se sa në atë për të cilin është edhe mandatuar. Shteti i ynë më shumë po duket si një karikaturë, se sa një shtet ku nuk po bëjnë punë edhe tri polici e ushtri e KFOR-t që të kemi sovranitetin e plot, sepse ato i komandon politika për të pasur gjendjen ekonomike që kemi tani. Anija e tregtarëve apo e mafiozëve qarkullon e sigurt në ujrat e veta, nuk kanë frikë nga gjyqësia dhe legjislatura, policinë e kanë të vetën, sa që qeverisë nuk po i mbetët epitet më i mirë se sa qeveri karikaturë. Ne kemi Odën Ekonomike, Aleancën e Biznesit, Ministrin për Ekonomi e Financa, e besa edhe Profesorët me disa vende pune që vijnë nga Fakulteti Ekonomik dhe të gjithë këta së bashku thua se nuk i dinë pasojat e importimit të mallrave serbe në Kosovë. Ata e dinë fort mirë se importimi i mallrave ka vetëm një qëllim de-stimulimin e prodhimtarisë në Kosovë ,që të kemi një papunësi kolektive. Praktikisht Serbia po i cakton ҫmimet në tregun kosovar në atë mënyrë që të përjashtohet rentabiliteti i prodhimtarisë vendase, e pa rentabilitet nuk ka punësim kurse papunësia sjellë kriza të ndryshme që mund ta destabilizojnë vendin. Historia botërore na mëson se pavarësia politike është gjithmonë kuis-linge, aty ku nuk ka pavarësi ekonomike. Edhe pas pavarësisë së mbikëqyrur që pretendohet të hiqet këtë vit, ne do të mbesim ekonomikisht të kolonizuar, pasi që për këtë është përkujdesur një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me kuislingët e tyre. Politikisht kolonit mund të jenë të pavarura por jo edhe ekonomikisht, kur je i pavarur nuk mund të kolonizohesh. Edhe shtetet më të zhvilluara i kanë varshmëritë apo forma të ndryshme të reciprocitetit që balancojnë importin me eksportin, kur kësaj i shtohet edhe mentaliteti i civilizuar i vendeve të zhvilluara për të konsumuar prodhimet e tyre, i bie qe ne jemi duke shkuar në vetë- shkatërrim. Shembulli më i mirë është vëra kosovare në tregun evropian, edhe pse e një cilësie dhe kualiteti të mirë, ajo arrin të konsumatori vetëm atëherë kur mungojnë prodhimet vendore. Atëherë kur të shitet e gjithë vera vendase mund të llogaritet që do të shitet ndonjë litër për testim, por jo më shumë. E gjithë shoqëria e vendeve të zhvilluara është e përgatitur kolektivisht në ruajtjen e vendeve të punës, duke e ditur në detaje formën se si arrihet kjo.

Po më thuani, a nuk është tragjedi për një shtet, kur një profesor mban deri në katër-pesë vende pune, kur papunësia është e nivelit tepër të lart? Çfarë rezultati mund të pritet nga ai? Psikologët, mendimtarët më të mëdhenj kanë konstatuar se rezultate të mira mund të arrihen vetëm atëherë kur njeriu më gjithë energjinë e tij është i koncentruar në një drejtim, ҫka do të thotë se profesorët në fjalë janë të dobët në arsim, të dobët në politik dhe shumë më të dobët në ekonomi. Ekonomistët në fjalë të na thonë se kush e konstrukton politikën fiskale në Kosovë, si definohet fjala kolonizator? A nuk është koloni një vend ku planifikimin ta bënë një shtet tjetër, apo jemi duke ndërtuar një sistem politik të dreqit të mallkuar. Këta ekonomist janë duke mbajtur dhe dirigjuar një përgjegjësi tepër të madhe për shtetin me rolin e tyre edhe tregtarë, edhe politikan, edhe profesor. Sovranitetin mbi një shtet e ka ai që kontrollon tregun. Bashkësia Ndërkombëtare po e inkurajon bashkëpunimin ekonomik të mafies serbe me atë shqiptare, kur dihet që mafia ekonomike është dorë e zgjatur e mafies politike. Ky projekt është saktësisht i përpiluar nga shumë faktor, që ta rrënojnë ekonominë e Kosovës, në mënyrë që rikolonizimi ekonomik të bëhet më kollaj. Ligjet ekonomike që po i aprovon politika janë të destinuara të dështojnë, sepse këta që e kanë konstruktuar këtë projekt, apo më mirë të themi këtë krizë të thellë ekonomike në vendin tonë, i njohin fort mirë pasojat e krizave ekonomike gjatë historisë nëpër vendet e ndryshme të botës. Të jeni të sigurt se vitrinat e dyqaneve do të jenë plot mall, derisa xhepat e qytetarëve gjithnjë e më shumë do të jenë të zbrazët, në vend se të prodhojnë shqiptarët në Kosovë, prodhojnë serbët në Serbi. Të gjithë faktorët e sipërpërmendur janë indikacion i fortë për investitorët e huaj që të heqin dorë nga investimet në Kosovë. Leverdia ekonomike e investitorëve potencial është pesë herë më e lart nëse ata investojnë diku tjetër në krahasim më Kosovën. Prandaj nuk duhet të gënjehemi ne politikat ditore sepse investimet e huaja do të mungojnë edhe për një kohë.

Autori është nënkryetar i Agjensionit për zhvillimin e Ballkanit

Share:

Librat: