Romani “Rrënjët e kujtesës” mëton të na sjellë një rrëfim të vërtetë, që dëshmon në përmbajtje jetën e shqiptarëve, nëpërmjet një zinxhiri ngjarjesh në sfidë me barbarët sllavë. Ndoshta për ta kthyer këtë libër autobiografik në një roman të mirëfilltë artistik është një përgjegjësi e madhe për të gjithë krijuesit, sepse çdo vepër ka synim kryesor mendimin e lexuesit. Përmes kësaj arritjeje, autori e ka kthyer jetën e tij personale në një roman sa jetësor po aq edhe sfidues.
Historia e personazhit kryesor Dardanit, nuk është një trillim modern, as edhe ndonjë rastësi e zakonshme. Rrëfimi është një kronologji e jetës së çdo shqiptari për t`i mbijetuar udhëtimit të tij jetësor drejt lirisë. Në kompozicionin e romanit me një narracion të ngjeshur, stil të rrjedhshëm dhe gjuhë letrare, gjithçka që ndodh në botën e personazheve i shtyn ata të mendojnë, se edhe pse koha e jetës shfaqej gri, të shpresonin edhe për një ditë të bardhë.
Ndonëse u mungonte liria dhe barbarët nuk ndalnin së krijuari dramat në shpirtin e tyre, ata asnjëherë nuk u përulën para gjithë kohëve të mbrapshta. Ky roman i fuqishëm shkruar nga një autor që ka përjetuar tmerrin në dyert e reales, si jetësim i të pamundshmes ka ecur me vetëdijen e tij drejt të mundshmes. -Violeta ALLMUÇA - Shkrimtare